Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së jugut për hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër ndodhet ende në trajtim në ministri, raporton Ekonomia Online.
I pyetur nëse çështja e hapjes së Urës së Ibrit do të diskutohet në procesin dialogues në Bruksel, siç ka pretenduar javën e kaluar emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ministri Krasniqi ka nënkuptuar se për qeverinë vlen përgjigja e kryeministrit.
Krasniqi këto komente i bëri në një deklarim për media pas përfundimit të takimit mes përfaqësuesve të qeverisë dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
“Vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, aktualisht është në trajtim në Ministrinë tonë, kurdo që të përfundojë vlerësimi i ligjshmërisë së aktit ne do e dërgojmë te instancat tjera”, tha Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se brenda takimit mes qeveritarëve dhe kryetarëve të komunave, është shprehur pajtim për trajtimin e çështjes së të hyrave vetanake.
“Sa i përket të hyrave vetanake, ministri i Financave në emër të qeverisë e hapi derën për zgjidhjen e kësaj çështje, sepse ne faktikisht po e implementojmë një amandament të miratuar në kuadër të Ligjit për Buxhetin. Nëse duhet të ndryshohet ky amandament, ministri edhe një herë sot u kërkoi kryetarëve të komunave që të bëjnë kërkesë dhe ajo do të trajtohet”, ka thënë Krasniqi.