Kosova nis sot rrugëtimin drejt Botërorit 2027 përballë Estonisë

Vashat dardane synojnë fitore në Prishtinë për të hedhur hapin e parë drejt raundit të fundit kualifikues.
Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra nis sonte, në orën 20:00, rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2027, me përballjen ndaj Estonisë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Reklamë
Kjo është hera e gjashtë që Kosova merr pjesë në kualifikimet për Botëror, ndërsa synimi është të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas dhe të sigurojë një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit.
Dueli i dytë zhvillohet të shtunën, nga ora 17:00, ndërsa kombëtarja që triumfon në përballjen e dyfishtë do të sigurojë kalimin në raundin e fundit kualifikues për Botërorin e vitit 2027.
Federata e Hendbollit e Kosovës u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë pranë vajzave dardane dhe t’i mbështesin në këtë sfidë të rëndësishme ndërkombëtare.
Mbështetja e tifozëve në Prishtinë pritet të jetë një shtysë shtesë për Kosovën në synimin për të vazhduar rrugëtimin drejt Botërorit.










