Ndërmjetësi i takimit të dy krye negociatorëve, Besnik Beslimit nga Kosova dhe, Petar Petkovicit nga Serbia, Miroslav Lajçak po kritikohet nga partia në pushtet në Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj partie, Armend Muja thotë se i dërguari i posaqëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak synon të ofrojë një version ekstrem për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Propozimet që i ka pasur Lajçak është që të ofrojë një ekstrem atje dhe një ekstrem këtu dhe ‘hajde të takohemi kah mesi’. Nuk është politika ashtu, as shteti nuk funksionon, besa nuk po funksionojnë as trendët evropianë në atë mënyrë. Qëndrimi jonë prej fillimit ka qenë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjshmëria janë alfa dhe omega. Çfarë ka brenda asaj Kushtetute mund të shikohet se si mund të përmirësohet pjesëmarrja politike e secilit komunitet në Kosovë, por një milimetër jashtë Kushtetutës së Kosovës nuk mund të kalojë. Kjo në Kosovë nuk kalon, këtë duhet ta ketë parasysh edhe zotëri Lajçak dhe të tjerët”, tha Muja.
Teksa akuzon Serbinë për Moszbatim të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, deputeti Muja thekson se në raport me këtë, ndërmjetësuesi Lajçak herë pas here mban qëndrim të anshëm.
“Zotëri Lajcak ka pas kohë pas kohe kah një qëndrim të anshëm. Ideja ka qenë se Serbia ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjet, përfshirë edhe marrëveshjen e fundit që ishte në Bruksel. Por ka tendenca gjithmonë ‘hajde t’i gjejmë edhe Kosovës diçka dhe pastaj të themi se të dyja po e shkelin kapak’. Merrini shikoni 39 marrëveshje dhe dakordime dhe shikoni se Serbia e ka një qasje se një herë dakordohet për marrëveshje pastaj duhet pikë për pikë sërish me u dakordu. Janë shumë të papërshtatshëm në marrëdhënie ndërkombëtare”, tha Muja.
Muja ka folur edhe për komunat në veriun e Kosovës, ku thotë se shteti duhet t’i rrisë kapacitetet atje. /atvlive.tv