Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A3 është ndalur në mënyrë të kontrolluar në orën 22:17, pas evidentimit të një defekti teknik.
Sipas KEK-ut, ndalimi është bërë si masë parandaluese, për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të pajisjeve dhe për të krijuar kushte të sigurta për ndërhyrjen dhe sanimin e defektit.
“Për shkak të një defekti teknik të evidentuar në Njësinë A3, dhe duke pasur parasysh rrezikun e dëmtimit të mëtejshëm të pajisjeve, në ora 22:17 është bërë ndalimi i kontrolluar i njësisë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Ekipet profesionale janë duke punuar në trajtimin e situatës, ndërsa Njësia A3 pritet të rikthehet në operim pas përfundimit të ndërhyrjeve të nevojshme dhe verifikimit të kushteve të sigurta për punë.





