Prokuroria nis hetimet për objektin e “uzurpuar” në qendër të Prishtinës

Kërkesat e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për lirimin e hapësirave të uzurpuara në qendër të Prishtinës, kanë filluar të merren parasysh nga institucionet kompetente.

Prokuroria Themelore ka nisur hetimet për një pjesë të objektit që gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” të kryeqytetit.
Për ATV-në, kjo u konfirmua nga zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje, andaj në bazë të gjetjeve do të veprojë tutje”, tha Ulaj.

Në hulumtimin e Ministrisë së Bujqësisë, të siguruar nga ATV-ja, është evidentuar se subjekti tregtar “ALBI MARKET” ushtron veprimtarinë në katin përdhese dhe sipas deklaratës së menaxheres, për hapësirën paguhet qira, por jo Ministrisë së
Bujqësisë, e cila është pronare e objektit.

Në raportin që e posedon televizioni, është konstatuar se në oborrin e objektit skaj rrugës “Henri Dunan” me sipërfaqe prej 600m² është ndërtuar edhe një objekt tjetër i cili shfrytëzohet si depo. Ndërsa, në katin e parë tashmë është hapur edhe një kafene.

Në kuadër të kësaj ndërtese janë të privatizuara edhe dy njësi banesore, të cilat janë shndërruar në lokale afariste, duke u zgjeruar edhe në pjesën tjetër të objektit ekzistues me sipërfaqe prej 160m².

Për lirimin e hapësirës në fjalë, ministri Faton Peci ka kërkuar ndihmë edhe nga kryetari i Prishtinës.

“Në vazhdimësi në tre muajt e fundit, ne kemi kërkuar, madje kemi pasë edhe një dakordim me kryetarin Përparim Rama, që të ndërhyjë përmes inspektoratit, por siç duket niveli i shërbyesve civilë i Komunës së Prishtinës është thellë i përfshirë në këtë rast, kjo për faktin se edhe në kërkimin e materialeve që e kërkojmë, thjesht ata ofrojnë dokumente jorelevante dhe të pjesshme”, ka thënë Peci.

Por, sipas nënkryetarit të Prishtinës, kjo nuk është çështje vetëm e inspektortatit të komunës.

“Ky është një raport që u është dorëzu prokurorisë dhe organeve të tjera. Inspektoratit i duhen dokumente më të kompletuara. Prokuroria por edhe policia duhet t’i ndihmojnë komunës”, ka thënë nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë, ditë më parë, ka ngritur aktakuzë për ndërtimet në pronën e Institutit për Hulumtime Bujqësore, në fshatin Stankaj të Rugovës. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA