Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Çitaku, i ka shkruar sërish letër kryesuesit Astrit Dehari për t’i kërkuar që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për nesër në orën 11:00.
PDK-ja kërkoi që Dehari ta përmbushë “obligimin kushtetues dhe procedural”.
“I nderuar z. Dehari, Po ju shkruaj sërish, në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, “tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan PDK-ja në letër. “Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, shtohet aty.
PDK-ja thotë se Dehari duhet të ketë parasysh se “sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”.
“Prandaj, duke e thirrur nesër vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të rëndë dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në letër.
Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike, shkruan PDK-ja në letër, duke shtuar se “ato mund dhe duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”.
“Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni për nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 vazhdimin e seancës konstituive dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të letrës.






