Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar së do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri malazez, Jakov Millatoviq, e cila do të mbahet të shtunën në Podgoricë. Ekonomisti 36-vjeçar, i arsimuar në Perëndim, fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë në Mal të Zi përballë presidentit në largim Milo Gjukanoviq.
Kandidatura e Millatoviq ishte parë me shumë dyshim në Prishtinë pasi ai u mbështet nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse, me kryeministrin Albin Kurti që ishte deklaruar publikisht para zgjedhjeve se humbja e Gjukanoviqit do të çonte kombin malazez drejt shuarjes.
Gjithsesi, pas fitores, të paktën publikisht, presidentja Osmani nuk e uroi homologun e saj të ri malazez, ndryshe me sa vepron me liderë të tjerë.
Gjithsesi ajo do të jetë të shtunën në inaugurimin e presidentit Millatoviq, së bashku me presidentët e tjerë të rajonit.
“Në momentin e zgjedhjes së presidentit të ri të Malit të Zi janë ftuar pastaj për ceremoninë e inaugurimit të gjithë presidentët e rajonit. Tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen shumica dërrmuese prej tyre, përfshirë edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara dhe natyrisht si presidente e Republikës së Kosovës e kam bërë konfirmimin në emër të Republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani pas pyetjes së KosovaPress.
Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, pas zgjedhjeve për televizionin “Nova” tha se rruga evropiane e Malit të Zi është e padiskutueshme, dhe se politika e jashtme – bazuar në marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare – nuk do të ndryshojë.
I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të thotë se nuk është reale të pritet tërheqja e njohjes së Kosovës, Millatoviq tha se “kjo është e qartë”.
“Ne mbështesim gjithçka për të cilën do të bien dakord Beogradi dhe Prishtina. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon, dhe Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Millatoviq.
Ndërsa, për të kthyer përgjigje kryeministrit Kurti, u përkujdes homologu i tij malazez Dritan Abazoviq që deklaroi se kombi malazez jo se nuk do të shuhet por do të jetë edhe më i fuqishëm.