Prej korrikut nuk dihet asgjë për të, Policia kërkon ndihmë për gjetjen e Xhafer Raqit

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948, i cili është raportuar i zhdukur më 2 korrik 2026 në Prishtinë.
Sipas Policisë, rasti është raportuar në Stacionin Policor Qendra, ndërsa që nga ajo kohë janë ndërmarrë veprime të shumta hetimore dhe operative për lokalizimin e tij, në koordinim me prokurorinë kompetente, Njësitin për Kërkim-Shpëtim të FSK-së dhe në bashkëpunim me familjarët.
Reklamë
Gjatë hetimeve janë intervistuar persona që mund të kenë informacione të rëndësishme, janë verifikuar hyrje-daljet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës dhe janë kryer kërkime në zonat që i zhdukuri i frekuentonte zakonisht.
Po ashtu, Policia ka analizuar dhe verifikuar informacione të ndryshme lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e mundshme të tij.
Megjithatë, pavarësisht angazhimit të institucioneve, Xhafer Raqi ende nuk është gjetur. Me autorizimin e prokurorit të Shtetit, Policia u është drejtuar qytetarëve për ndihmë në lokalizimin e tij.
Të gjithë ata që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, ftohen ta kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin emergjent 192 ose përmes adresës elektronike [email protected].
Policia thekson se çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë i rëndësishëm për gjetjen e 78-vjeçarit dhe për të ndihmuar familjen e tij.








