Gianni Infantino do të kërkojë një tjetër mandat në krye të FIFA-së, pasi ka konfirmuar se do të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në mars të vitit 2027.
Vendimi vjen në një periudhë të vështirë për presidentin e FIFA-së, i cili po përballet me kritika dhe presion në rritje për mënyrën se si po drejton organizatën botërore të futbollit.
Një prej çështjeve që ka shkaktuar më shumë polemika lidhet me përpjekjet për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë të të drejtave komerciale në turnetë e organizuara nga FIFA.
Pavarësisht kritikave, një zëdhënës i FIFA-së ka bërë të qartë se Infantino nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se synon të garojë për një mandat të ri.
“Presidenti i FIFA-së njoftoi në prill se do të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2027. Sigurisht, asgjë nuk ka ndryshuar. Zoti Infantino do të kandidojë për rizgjedhje”, deklaroi zëdhënësi.
Kundërshtimet ndaj Infantinos nuk kanë ardhur vetëm nga jashtë organizatës. Disa prej zëvendëspresidentëve të FIFA-së Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut kanë shprehur pakënaqësi, ndërsa mosmarrëveshjet për mënyrën e drejtimit të organizatës vazhdojnë.
Edhe marrëdhëniet mes FIFA-së dhe UEFA-së mbeten të tensionuara. Muajin e kaluar, disa vende evropiane hoqën dorë nga kërcënimi për bojkotimin e kompeticioneve të FIFA-s, pasi morën garanci se nuk do të ndërmerreshin më përpjekje për të “deformuar futbollin në këtë mënyrë”.
Megjithatë, UEFA vazhdon të mbështesë një fushatë më të gjerë që synon largimin e Infantinos nga posti i presidentit të FIFA-së.
Në anën tjetër, Infantino ka vazhduar të promovojë investimet dhe fondet që FIFA ka siguruar për federatat kombëtare në mbarë botën. Këto investime mund të kenë peshë të madhe në zgjedhjet e ardhshme, pasi çdo federatë anëtare e FIFA-s ka një votë me peshë të barabartë.
Së fundmi, Infantino ishte i pranishëm në Kupën e Botës për Femra U-20 në Poloni, por gjatë vizitës refuzoi të komentonte për të ardhmen e tij në krye të FIFA-së apo për konfliktin me UEFA-në.
Ndërkohë, kandidatët që dëshirojnë ta sfidojnë Infantinon duhet të deklarojnë zyrtarisht kandidaturën e tyre deri më 18 nëntor.
Me afrimin e zgjedhjeve, gara për presidencën e FIFA-së pritet të bëhet gjithnjë e më e nxehtë, ndërsa Infantino synon të sigurojë një tjetër mandat pavarësisht presionit dhe kritikave që kanë shoqëruar drejtimin e tij.





