Rodri është gjithnjë e më pranë transferimit te Barcelona. Mesfushori spanjoll ka marrë dritën jeshile për të udhëtuar sot, të hënën, drejt Barcelonës, ku pritet të kompletojë hapat e fundit para zyrtarizimit të marrëveshjes me klubin katalanas.
Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, Barcelona i ka rezervuar Rodrit testet mjekësore, të cilave ai pritet t’u nënshtrohet së shpejti. Nëse gjithçka shkon sipas planit, 30-vjeçari do të firmosë gjatë kësaj jave një kontratë katërvjeçare, që do ta mbajë në “Camp Nou” deri në qershor të vitit 2030.
Marrëveshja mes Barcelonës dhe Manchester Cityt është arritur për një shumë prej 60 milionë eurosh fikse. Përveç kësaj, kontrata parasheh edhe 6 milionë euro bonuse të lehta për t’u aktivizuar, ndërsa 10 milionë euro të tjera janë të lidhura me objektiva dhe kushte më të vështira, përfshirë paraqitjet dhe performancën e lojtarit.
Fituesi i “Topit të Artë” dhe një prej mesfushorëve më të rëndësishëm të gjeneratës së tij pritet të jetë një nga figurat kryesore të projektit të ri të Barcelonës.
Përvoja e gjatë e Rodrit në elitën e futbollit, aftësia për të kontrolluar ritmin e ndeshjeve dhe cilësia në organizimin e lojës pritet t’i japin skuadrës katalanase më shumë stabilitet dhe kreativitet në mesfushë.
Transferimi i spanjollit shihet si një goditje e rëndësishme e Barcelonës në merkato, teksa klubi vazhdon të ndërtojë një skuadër konkurruese me synimin për t’u rikthyer në majat e futbollit evropian.
Nëse Rodri i kalon me sukses testet mjekësore, zyrtarizimi i transferimit të tij në “Camp Nou” pritet të jetë vetëm çështje ditësh.





