Taranto e Italisë sot pret Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), takim ky me rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, e cila po hyn në një fazë të rëndësishme të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në këtë mbledhje pritet të zgjidhet presidenti i ri i ICMG-së për mandatin e ardhshëm, ndërsa në agjendë do të jenë edhe çështje që lidhen me të ardhmen e Lojërave Mesdhetare.
Kosova do të ketë një rol aktiv në këtë takim. Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, pritet t’u prezantojë përfaqësuesve të komiteteve olimpike dhe drejtuesve të ICMG-së punën e bërë deri më tani dhe ecurinë e përgatitjeve për “Prishtina 2030”.
Raportimi i Gashanit vjen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila synon që përmes organizimit të Lojërave Mesdhetare të dëshmojë se ka kapacitetet e nevojshme për të pritur një ngjarje të madhe sportive ndërkombëtare.
Asambleja në Taranto do të shërbejë gjithashtu si një mundësi për Kosovën që t’i informojë drejtuesit e rinj të ICMG-së për progresin e arritur, projektet që janë në proces dhe hapat konkretë që pritet të ndërmerren gjatë viteve të ardhshme.
Me “Prishtina 2030” në horizont, Kosova synon që përgatitjet të avancojnë paralelisht në aspektin organizativ, sportiv dhe infrastrukturor, në mënyrë që Lojërat Mesdhetare të shndërrohen në një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të zhvilluara ndonjëherë në vend.





