Juventusi ka bërë zyrtare transferimin e Jhon Lucumit nga Bologna, me mbrojtësin kolumbian që ka firmosur kontratë me klubin torinez deri më 30 qershor 2030.
28-vjeçari është produkt i akademisë së Deportivo Calit, ndërsa debutimin në futbollin profesionist e regjistroi në moshën vetëm 17-vjeçare. Në vitin 2018, Lucumi u transferua në Belgjikë te Genk, ku fitoi një rol të rëndësishëm dhe u shndërrua në një prej qendërmbrojtësve më të vlerësuar të kampionatit belg.
Pas katër viteve në Belgjikë, kolumbiani zbarkoi në Serie A në vitin 2022, kur iu bashkua Bolognas. Me fanellën kuqeblu, Lucumi u shndërrua në një pikë referimi në repartin defensiv, duke regjistruar 152 paraqitje në të gjitha kompeticionet gjatë aventurës së tij në klub.
Qendërmbrojtësi pati gjithashtu mundësinë të përjetonte skenën më të madhe evropiane me Bolognan, duke luajtur në Ligën e Kampionëve dhe duke realizuar një prej dy golave të tij me skuadrën italiane.
Tashmë, Lucumi nis një kapitull të ri në karrierë me fanellën e Juventusit. Përvoja e tij në Serie A dhe karakteristikat e tij si qendërmbrojtës pritet t’i ofrojnë më shumë siguri dhe alternativa trajnerit Luciano Spalletti në repartin defensiv.
Me këtë transferim, Juventusi vijon të kompletojë skuadrën për sezonin e ri, me synimin për të rikthyer klubin në majat e futbollit italian dhe për të qenë protagonist edhe në arenën evropiane.





