Gjatë kësaj jave, Kryeministri i vendit, z. Albin Kurti, bashkë me ambasadorin e Zvicrës, z. Kolly, ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë dhe disa investitorë nga Zvicra morën pjesë në inaugurimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura në Gjakovë, siç njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.
Ky projekt është zbatuar përmes Bankës për Zhvilli dhe Konfederatës Zvicerane përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), si dhe me kontributin vetanak të Komunës së Gjakovës.
Në këtë takim morën pjesë gjithashtu ministri i ambientit dhe infrastrukturës, Liburn Aliu, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe Fjolla Lasku, drejtoresha e Impiantit në Gjakovë, dhe Ilmi Cakolli, veprimtar i njohur në Zvicër.
Nga takimi i mëparshëm me z. Lajçak, Kryeministri shkoi drejt Gjakovës për të përuruar impiantin e tretë të ujërave të ndotura, në dy vitet e fundit.
Impianti i ri në Gjakovë vjen pas atyre në Prizren dhe Pejë, dhe i paraprin atyre në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, synohet që brenda pesë viteve të ardhshme t’i kenë impiantet e tyre në shtatë qytetet kryesore, ndërsa në vetëm në dy vite janë siguruar mbi 100 milionë euro grante për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.
Nga shuma totale prej 16.8 milionë eurosh që ka kushtuar ky projekt i rëndësishëm, 6 milionë euro janë kontribut i Bankës Zhvillimore Gjermane, 7.6 milionë euro vijnë nga Qeveria Zvicerane dhe 3.2 milionë euro janë shtuar nga Komuna e Gjakovës.
Zvicra deri tani ka dhënë mbi 600 milionë CHF për demokracinë, integrimin dhe zhvillimin e Kosovës.
Zvicra ka dhënë 86 milionë euro për Kosovën me qëllim të mbështetjes së projekteve ekonomike, zhvillimit të demokracisë dhe kapaciteteve ujore. Këtë e ka bërë të ditur ambasadori zviceran, Thomas Kolly.
Ky program i bashkëpunimit zviceran me Kosovën ishte paraparë të realizohej për vitet 2022-2025 me investime në vlerë prej 86 milionë eurosh në fushat e “Qeverisjes demokratike dhe paqes”, “zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm” dhe “fushën e klimës dhe ujit”.
Në një intervistë të fundit për gazetën zvicerane Le Canton27.ch, ambasadori zviceran në Prishtinë, z. Thomas Kolly, tha: “Rreth 200,000 persona me origjinë kosovare jetojnë në Zvicër dhe kontribuojnë aktivisht në ekonominë, kulturën dhe politikën tonë vendase. Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë, me mbi 480 milionë euro. Zvicra ka ofruar ndihmë të rëndësishme për Kosovën që nga viti 1998. Deri tani, ajo ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri bilateral i tretë në zhvillimin e Kosovës. Ne jemi të bindur se ndihma zvicerane mbështet me efektivitet synimet e Kosovës për integrimin evropian dhe kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve kosovarë.”