Sot është mbajtur ceremonia e certifikimit të gjeneratës së parë të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për vitin 2025, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë kësaj ceremonie, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se FSK është dëshmi e sakrificës dhe se Ushtria e Kosovës nuk është thjesht një forcë e armatosur, por një angazhim i përjetshëm ndaj atdheut.
“Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për Kosovën, ku 344 djem dhe vajza i bashkohen FSK-së. Të dashur ushtarë, ju keni kaluar shumë sfida me përkushtim. FSK është më shumë se një forcë, është simbol i përkushtimit dhe sakrificës, dhe dëshmi e forcës së shtetit tonë,” tha Osmani.
Osmani theksoi se Kosova është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve.
“Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur; ushtria jonë është një betim i përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen,” shtoi Osmani.
“Me punën dhe përkushtimin tuaj, do të vazhdoni ta mbani shtetin tonë. FSK po marshon fuqishëm përpara, e mirëpajisur. Ju jeni pasardhës të drejtë të UÇK-së, të cilët sakrifikuan gjithçka për atdheun në momentet historike të vendit tonë. Të kujtojmë dëshmorët, heronjtë dhe martirët. Edhe sot, shprehim falënderimin për aleatët tanë, përfshirë SHBA-të,” tha Osmani.