Kalo te përmbajtja
Të fundit

Grabitje në vilën luksoze të Eder Militaos, hajdutët i marrin sende me vlerë mbi 350 mijë euro

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Grabitje në vilën luksoze të Eder Militaos, hajdutët i marrin sende me vlerë mbi 350 mijë euro

Mbrojtësi i Real Madridit, Eder Militao, është bërë viktimë e një grabitjeje në vilën e tij luksoze në lagjen La Moraleja të Madridit, teksa po ndiqte nga stoli përballjen ndaj Barcelonës në kuadër të El Clasicos.

Sipas raportimit të mediumit spanjoll “El Mundo”, të paktën dy persona kanë hyrë me forcë në banesën e futbollistit brazilian gjatë pjesës së parë të ndeshjes, duke marrë me vete sende luksoze dhe bizhuteri me vlerë që tejkalon 350 mijë euro.

Reklamë

Ngjarja bëhet edhe më shqetësuese për faktin se në momentin e grabitjes në vilë ndodheshin edhe familjarët e Militaos.

Ata po ndiqnin ndeshjen në katin e poshtëm, ndërsa grabitësit shfrytëzuan këtë moment për të kontrolluar dhomat në katin e sipërm, pa u vënë re.Mes sendeve të vjedhura janë dy orë luksoze: një Rolex me vlerë rreth 53 mijë euro dhe një Richard Mille, që kushton afërsisht 170 mijë euro.

Lista e sendeve të zhdukura përfshin gjithashtu tri çanta dore të markës Chanel, me vlerë të përgjithshme rreth 15 mijë euro, si dhe bizhuteri të Cartier, përfshirë unaza dhe byzylykë që vlerësohen rreth 25 mijë euro.Përveç tyre, autorët kanë marrë edhe bizhuteri të tjera, aksesorë mode dhe valixhe të markave luksoze.

Në total, dëmi ekonomik vlerësohet të jetë mbi 350 mijë euro.Grabitja u zbulua pasi në njërën prej dhomave u konstatuan shenja të kontrollimit të hapësirës.

Në dhomën e gjumit të futbollistit, dollapët ishin hapur dhe sendet ishin lënë të shpërndara.Pas konstatimit të ngjarjes, në vilë mbërritën forcat e policisë dhe personeli i sigurisë së kompleksit luksoz të banimit.

Hetuesit kanë nisur punën për identifikimin e autorëve, ndërsa një nga hapat kryesorë të hetimit është analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë.

Militao e kishte ndjekur El Clasicon nga stoli dhe vetëm pas kthimit në shtëpi është përballur me lajmin e pakëndshëm. Ky nuk është rasti i parë kur futbollistë të Real Madridit apo yje të tjerë të futbollit spanjoll bëhen shënjestër e grabitjeve në banesat e tyre luksoze.

Eder Militao iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2019, kur klubi madrilen e transferoi nga Porto për 50 milionë euro. Deri më tani, mbrojtësi brazilian ka regjistruar 195 paraqitje dhe 14 gola me fanellën e “Los Blancos”.

Megjithatë, karriera e tij është penguar në disa raste nga dëmtimet e rënda, të cilat e kanë mbajtur për periudha të gjata jashtë fushave.

Këtë sezon, ai ka regjistruar vetëm një paraqitje.Pavarësisht problemeve fizike,

Militao ka fituar me Real Madridin tre tituj të La Ligës, dy trofe të Ligës së Kampionëve, një Kupë të Mbretit dhe një Kupë të Botës për Klube.

    Reklamë