Kalo te përmbajtja
Të fundit

Hoffenheim në krizë rezultatesh, Fisnik Asllani: Duhet të reagojmë ndaj Crystal Palace!

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Hoffenheim në krizë rezultatesh, Fisnik Asllani: Duhet të reagojmë ndaj Crystal Palace!

Hoffenheimi po kalon një periudhë të vështirë në Bundesligë, ndërsa humbja e fundit ndaj Werder Bremenit ka shtuar zhgënjimin në kampin e skuadrës gjermane.

Ekipi i Fisnik Asllanit dhe Leon Avdullahut u mposht me rezultatin 2-0 në transfertë, në takimin e vlefshëm për javën e tetë të kampionatit. Të dy futbollistët kosovarë e nisën ndeshjen si titullarë dhe qëndruan në fushë deri në minutën e 87-të, ndërsa Albian Hajdari mungoi për shkak të një dëmtimi.

Reklamë

Hoffenheimi nuk arriti të gjente rrugën drejt rrjetës, ndërsa Werder Bremeni shfrytëzoi mundësitë e tij për të marrë tri pikët. Pas ndeshjes, sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, e konsideroi takimin të ekuilibruar, duke theksuar se gjithçka u vendos nga goli i parë.

“Ishte thjesht çështje se kush do ta shënonte golin e parë. Kushdo që do ta bënte, do të fitonte. Kjo ishte ndjesia ime në fushë dhe kështu ndodhi. Këto javë, me ndeshje edhe gjatë mesjavës, janë shumë intensive, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Por ky nuk është justifikim”, u shpreh Asllani.

Sulmuesi kosovar komentoi edhe momentin e golit të Niclas Füllkrug, duke pranuar se fillimisht kishte menduar se ishte shkaktuar një faull.

“Kur shënoi Niclas Füllkrug, përshtypja ime e parë ishte se kishte faull, pasi ai përdori duart për të shtyrë. Por në fakt e menaxhoi shumë mirë situatën”, theksoi futbollisti.

Kjo disfatë erdhi pas një tjetër rezultati negativ për Hoffenheimin, që gjatë javës ishte eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, pas humbjes ndaj Holstein Kielit.

Megjithatë, Asllani nuk mendon se skuadra e tij zhvilloi një paraqitje të dobët ndaj Werder Bremenit. Sipas tij, mungesa e fatit dhe disa episode vendimtare ndikuan në rezultatin përfundimtar.

“Nuk mendoj se bëmë një ndeshje të keqe. Me pak fat mund të kishim kaluar në avantazh dhe ndeshja do të kishte rrjedhë tjetër. Në një moment, topi u largua pikërisht nga vija e portës. Është një përfundim i hidhur për ne”, u shpreh sulmuesi i Kosovës.

Megjithatë, Hoffenheimi nuk ka shumë kohë për t’u ndalur te zhgënjimet, pasi e pret një tjetër sfidë e rëndësishme në Ligën e Evropës, ku do të përballet me Crystal Palace.

Asllani e konsideron këtë takim një mundësi të mirë për të reaguar dhe për të rikthyer skuadrën te rezultatet pozitive.

“Tani duhet të japim më të mirën ndaj Crystal Palace. Është një ndeshje e madhe, të cilën të gjithë e presim me padurim. Kjo është ana pozitive e këtyre javëve të ngjeshura – kemi mundësinë t’i rregullojmë gjërat shumë shpejt”, përfundoi Fisnik Asllani.

Reklamë