Hansi Flick hyn në historinë e Barcelonës, 100 fitore në kohë rekord!

Barcelona iu rikthye fitoreve në kampionat me suksesin ndaj Alavésit, duke konfirmuar edhe njëherë ambiciet për të mos lëshuar kreun e klasifikimit. Përtej tri pikëve të rëndësishme, kjo ndeshje ishte historike edhe për trajnerin Hansi Flick, i cili regjistroi fitoren e tij të 100-të në pankinën e skuadrës katalanase.
Tekniku gjerman e ka arritur këtë shifër pas vetëm 131 ndeshjesh, duke u renditur i dyti në historinë e Barcelonës për kohën më të shkurtër të nevojshme për të mbërritur në kuotën e 100 fitoreve. Vetëm Luis Enrique ka bërë më mirë, duke e arritur këtë objektiv pas 126 ndeshjesh.
Reklamë
Flick ka regjistruar 44 fitore në secilin prej sezoneve 2024/25 dhe 2025/26, ndërsa në sezonin aktual numëron 12 fitore në 14 ndeshje. Një statistikë mbresëlënëse, që dëshmon edhe forcën sulmuese të Barcelonës nën drejtimin e tij. Në këto 100 fitore, katalanasit kanë shënuar 375 gola dhe kanë pësuar 153.
Por shifrat e gjermanit nuk ndalen këtu. Me një përqindje prej 76.33% fitoresh, Hansi Flick është trajneri me përqindjen më të lartë të fitoreve në historinë e Barcelonës, duke marrë në konsideratë të gjitha ndeshjet e drejtuara.
Në dy sezonet e para në stolin blaugrana, tekniku gjerman ka fituar gjithashtu pesë trofe, duke konfirmuar suksesin e projektit të tij në Camp Nou. Megjithatë, mes 100 fitoreve të regjistruara, Flick ka një të preferuar të veçantë: triumfin në El Clasicon e parë ndaj Real Madridit në transfertë.
“Shpresoja të drejtoja Barcelonën në 100 ndeshje dhe tani kam arritur 100 fitore. Nëse do të më duhej të zgjidhja fitoren time të preferuar, do të ishte suksesi im i parë në El Clasico ndaj Real Madridit në Madrid. Ai triumf më sjell kujtime shumë të bukura”, u shpreh trajneri gjerman.
Një deklaratë që tregon edhe njëherë rëndësinë e veçantë që ka për Barcelonën fitorja ndaj rivalit të përjetshëm. Hansi Flick është kthyer në një figurë të rëndësishme të projektit katalanas dhe një motiv krenarie për presidentin Joan Laporta, i cili pak muaj më parë i rinovoi kontratën deri në vitin 2028, me opsionin për ta zgjatur edhe për një sezon tjetër.
Reklamë








