Kalo te përmbajtja
Të fundit

Skandal në Kinë për Mbappe, CCTV pezullon transmetimin e La Ligës pas polemikave me yllin francez

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Skandal në Kinë për Mbappe, CCTV pezullon transmetimin e La Ligës pas polemikave me yllin francez

Televizioni shtetëror kinez CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligës spanjolle, duke vënë në zbatim kërcënimin e bërë pas polemikave të shkaktuara nga një deklaratë e sulmuesit të Real Madridit, Kylian Mbappe.

Vendimi erdhi pas reagimeve të shumta në Kinë ndaj futbollistit francez, i cili gjatë një interviste kishte përmendur si një prej memeve të tij të preferuara në internet një fotomontazh, ku fytyra e tij ishte vendosur mbi trupin e ish-udhëheqësit kinez Mao Ce Dun.

Reklamë

Si pasojë, ndeshjet e kampionatit spanjoll nuk u përfshinë në programacionin e fundjavës së kaluar të CCTV-së, ndërsa përmbajtjet që lidhen me Real Madridin u hoqën edhe nga aplikacioni zyrtar i transmetuesit.

Masat nuk u kufizuan vetëm te televizioni shtetëror. Edhe platforma dixhitale Migu, partneri ekskluziv dixhital i La Ligës në Kinë, tërhoqi nga oferta e saj ndeshjen e Real Madridit. Sipas raportimit të “Marca”-s, nga platforma u fshinë gjithashtu pamjet e mëparshme të golave dhe paraqitjeve të Mbappes, ndërsa transmetimet e ndeshjeve të tjera të kampionatit spanjoll vijuan normalisht.

Polemika nisi pas deklaratës së Mbappes për memen ku ai shfaqej me pamjen e Mao Ce Dunit, figurës historike që themeloi Republikën Popullore të Kinës. Edhe pse sulmuesi nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e tij, fotomontazhi shkaktoi reagime të forta në vendin aziatik.

Situata pati pasoja edhe në aspektin komercial, pasi disa kompani kineze ndërprenë menjëherë marrëveshjet e sponsorizimit me futbollistin. Ndërkohë, CCTV hoqi nga programacioni transmetimet e La Ligës dhe reklamat ku shfaqej ylli francez.

Pas reagimeve, Mbappe kërkoi falje në tri gjuhë: frëngjisht, kinezisht dhe anglisht. Në përpjekje për të qetësuar situatën ndërhyri edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili i dërgoi një letër zyrtare Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Edhe Real Madridi iu bashkua përpjekjeve për të zbutur polemikat, duke shprehur respektin e madh të klubit për Kinën.

Autoritetet dhe mediat shtetërore kineze kanë konfirmuar se i kanë pranuar letrat, por ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare nëse kërkimfaljet janë të mjaftueshme për të zgjidhur situatën.

Për momentin, mbetet e paqartë se kur do të rikthehen transmetimet e La Ligës në CCTV dhe në platformat e tjera përkatëse në Kinë.

Reklamë