Një tërmet i fuqishëm ka goditur Azinë Juglindore, duke shembur ndërtesa të larta që ishin duke u ndërtuar në Bangkok, dhe duke rrëzuar objekte në Mianmar.
Të paktën një person është mbytur dhe dhjetëra punëtorë janë nxjerrë nga rrënojat e një rrokaqielli, tha Instituti Kombëtar për Emergjenca Mjekësore në Tajlandë.
Dëshmitarët në Bangkok thanë se njerëzit dolën në rrugë në panik pas dridhjeve të fuqishme të tokës.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti ishte 7.7 ballë i Rihterit, me një thellësi prej 10 kilometrash. Po ashtu u regjistruan pasgoditje të fuqishme.
Epiqendra e tërmetit ishte 17.2 kilometra nga qyteti Mandalaj në Mianmar, qytet që ka një popullsi prej 1.5 milion banorësh, shkruan Radio Evropa e lirë.
Autoritetet në Mianmar ende nuk kanë njoftuar për dëme apo viktima.
“Kemi nisur kërkimet përreth Jangonit, për të shikuar nëse ka viktima dhe dëme. Deri më tani nuk kemi informacione”, tha për Reuters një zyrtar nga Departamenti i Zjarrfikësve në Mianmar.
Në mediat sociale janë publikuar pamje nga Mandalaja, duke shfaqur shembje të ndërtesave. Këto imazhe nuk ka qenë e mundur që menjëherë të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Agjencia Xinhua e Kinës raportoi se dridhje të fuqishme të tokës janë ndier në provincën Junan, në jugperëndim të Kinës, që gjendet në kufi me Mianmarin. Por, autoritetet kineze nuk kanë raportuar për viktima./REL