Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës ka kërkuar që të lëshohen fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për presidentin e Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, dhe kryetarin e Kuvendit Popullor të këtij entiteti serb, Nenad Stevandiq.
“Shpallja e fletarrestimit është në kompetencë të Zyrës Qendrore Kombëtare të INTERPOL-it”, u konfirmua për Radion Evropa e Lirë më 27 mars nga Gjykata e Bosnjës.
Në një përgjigje të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, për një rast tjetër, INTERPOL-i tha se nuk lëshon fletarrestime, por “me kërkesë të shteteve anëtare dhe pas kontrolleve të përputhshmërisë, INTERPOL-i lëshon njoftime ndërkombëtare për të kërkuarit që njihej si ‘njoftime të kuqe’”.
“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.
Nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës është bërë e ditur se fletarrestimet ndërkombëtare janë kërkuar më 26 mars nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, e cila i ngarkon Dodikun dhe Stevandiqin, bashkë me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dhe “persona të tjerë”, për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës.
Si bazë për lëshimin e fletarrestimeve, Prokuroria e Bosnjës ka deklaruar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në entitetin Republika Sërpska, duke shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnjë e Hercegovinës”.
Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka deklaruar se Dodik aktualisht ndodhet në Izrael, ndërsa i Stevandiq, duke shmangur kontrollet ligjore, është kthyer nga Serbia në Bosnje më 18 mars.
“Të gjitha rrethanat tregojnë se ka gjasa që Dodik dhe Stevandiq në çdo moment të ndodhen jashtë vendit”, është thënë nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës.
Dodik, Vishkoviq dhe Stevandiq janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues dhe ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime qendrore brenda Bosnje e Hercegovinës, siç është konfirmuar për REL-in më 17 mars. Çdo agjenci policore, nga 16 sa janë në Bosnjë e Hercegovinë, duhet t’i arrestojë ata.