Të gjitha pasuritë e gjigantit metalurgjik Trepça në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do të kalojnë në menaxhim të komunitetit lokal, nëse aprovohet statuti i Asociacionit siç është prezantuar me 2 maj në Bruksel nga ekipi menaxhues.
Në nenin 54 të këtij drafti parashihet që resurset natyrore do kalojnë në menaxhim të komunitetit, statutit dhe kuvendit.
“Burimet natyrore (depozitat e qymyrit, xeheve të metaleve dhe jometaleve, uji, burimet ujore, burimet nëntokësore dhe gjeotermale, etj.) të vendosura në territorin e Komunitetit menaxhohen nga Komuniteti, Statuti dhe Kuvendi”, thuhet në nenin 54.
Aktualisht në këtë pjesë të Kosovës janë dy njësitë biznesore të “Trepçës”, minierat e Bellobërdës dhe Cërnacit me flotacion në Leposaviq.
Në raportin e auditimit për “Trepçën”, të realizuar për vitet 2019-2021, nga Zyra Kombëtare e Auditimit, shihet se për këtë periudhë nga miniera e Cërnacit dhe ajo e Bellobërdës janë eksploatuar mbi gjysmë milioni tonë xehe.
Por komunat veriore nuk janë të vetmet që kanë nëntokë të pasur.
Novobërda, një komunë po-ashtu e banuar me shumicë Serbe është e pasur me xehe të Plumbit e Zinkut.
Sipas raportit Vjetor të ndërmarrjes “Trepça”, miniera e Artanës në Novobëd, gjatë vitit 2021 ka eksploatuar afro 40 mijë tonë xehe, derisa rezervat metalore
të kësaj miniere parashihet të jenë mbi 700 mijë tonë.
Ndërkaq, edhe Brezovica, si njëra nga qendrat kryesore të turizmit në Kosovë, do kalonte në menaxhimin e komunës së Shtërpcës, nëse do arrihej pajtim për draft-statuti për asociacionin të propozuar në takimin e dy majit.
Megjithatë, ky draft statut është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili edhe ka shkarkuar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues, të cilët sipas tij kanë përgatitur një dokument në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. /atvlive.tv