Kalo te përmbajtja
Të fundit

Sonte El Classico Barcelona-Real Madrid

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Sonte El Classico Barcelona-Real Madrid

Barcelona e pret rivalin e përbetuar të dielën, nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së 10-të të La Ligës. Katalunasit kryesojnë tabelën me 27 pikë, ndërsa Real Madridi ka gjashtë pikë më pak.

Skuadra e Flickut ka regjistruar nëntë fitore në nëntë ndeshjet e para të kampionatit dhe synon ta vazhdojë serinë pozitive edhe në përballjen e madhe ndaj madrilenëve. Një fitore do t’i krijonte Barcelonës një epërsi prej nëntë pikësh ndaj rivalit të saj, duke e forcuar pozitën në krye të tabelës.

Reklamë

Megjithatë, përballë do të ketë një Real Madrid të udhëhequr nga Kylian Mbappe, i cili ka realizuar 12 gola në 12 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

Duke folur për mënyrën se si Barcelona do të përpiqet ta neutralizojë sulmuesin francez, Flick ka nënvizuar rëndësinë e organizimit taktik.

“Për ne është i rëndësishëm pozicionimi në fushë kur nuk e kemi topin dhe kur e kemi posedimin. Nëse i bëjmë këto dyja, për mbrojtjen do të jetë më e lehtë. Kjo është ajo që duhet bërë”, ka deklaruar trajneri gjerman.

Barcelona ka shënuar 50 gola në 12 ndeshje në të gjitha garat, por mbrojtja ka treguar disa dobësi, duke pranuar 15 gola. Katër prej tyre erdhën në humbjen ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.

Përballë Real Madridit, Flicku do të ketë disa mungesa të rëndësishme. Eric Garcia, Jules Kounde, Andreas Christensen dhe Dani Olmo nuk do të jenë në dispozicion të tij.

Pavarësisht vështirësive, trajneri i Barcelonës e ka cilësuar “El Clasicon” si një ndeshje të veçantë, që tejkalon kufijtë e futbollit.

“El Clasico është ndryshe. Është ndeshja më e mirë. E gjithë bota e sheh këtë ndeshje. Miliona njerëz, kultura e gjenerata janë të lidhura me të. Është e pabesueshme”, ka theksuar Flick.

Në anën tjetër, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka vlerësuar se një prej përparësive të Barcelonës është vazhdimësia e grupit të lojtarëve, të cilët kanë luajtur së bashku për disa vite, ndryshe nga madrilenët, që kanë pasur më shumë ndryshime në përbërje.

Mourinho ka folur edhe për Lamine Yamalin, duke vlerësuar cilësitë e talentit të Barcelonës, por ka bërë të qartë se Real Madridi nuk do ta ndryshojë identitetin e lojës për t’u përshtatur me një kundërshtar të vetëm.

“Po flasim për një skuadër me kualitete të larta, por nuk është problem. Yamali është lojtar shumë i mirë dhe lojtarët e mirë respektohen. Por, respekti ndaj dikujt është një gjë. Ndryshimi i planeve, strukturës apo dalja nga identiteti është diçka tjetër. Ne nuk do ta bëjmë atë, jo për atë, por për askënd”, ka deklaruar Mourinho.

Historia e përballjeve mes dy gjigantëve spanjollë është tejet e pasur. Barcelona dhe Real Madridi janë takuar 264 herë, me nga 106 fitore për secilën skuadër.

Në ndeshjet e zhvilluara në “Camp Nou”, Barcelona ka bilanc më të mirë, me 70 fitore në 128 përballje, ndërsa Real Madridi ka triumfuar 31 herë.

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’