Më shumë shkelje ka evidentuar Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin monitorues të shitblerjes së energjisë nga KEK-u, sesa që Prokuroria prezantoi në dosjen fillestare ndaj kryeshefit tashmë të pezulluar, Nagip Krasniqi.
Në dosjen me të cilën është arsyetuar masa e paraburgimit, Prokuroria përmend vetëm tenderin në vlerë 3.5 milionë euro për riparimin emergjent të kaldajës së njësisë A5 dhe një tjetër kontratë për konsulencë në vlerë 60 mijë euro.
Për tenderin e parë, mbi Krasniqin rëndojnë dyshimet për ndryshim të kushteve të kontratës, përkatësisht përshtatjes për kompaninë “Litwin Sa” dhe për ushtrim ndikimi përmes urdhërimit të shefit të prokurimit të nënshkruajë kontratën, përkundër rekomandimit për Komisionin Vlerësues për anulim.
Ndërsa, për të dytin, rëndojnë dyshimet për lidhje të dëmshme dhe të jashtëligjshme të kontratës me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna”, përkundër rekomandimit për rivlerësim dhe shpallje të një tenderi ri, të hapur.
Te dyshimet për konflikt interesi, përmendet pjesëmarrja në çështje të prokurimit, por pa specifikuar rastet dhe angazhimi i Isuf Zejnës, nga operatori në fjalë, në cilësinë e mbrojtësit në disa procedura hetimore ndaj Krasniqit.
Në të dyja kontratat, mbrojtja thotë se dëmi nuk është shkaktuar, pasi nuk është kryer pagesa.
Krahas konstatimit se me veprimet e tij Krasniqi i ka shkaktuar dëme të mëdha materiale buxhetit të shtetit, Prokuroria përmend shitblerjen e energjisë, por pa saktësuar ndonjë rast.
Në arsyetimin e vendimit për paraburgimin, Prokuroria thirret te rreziku i ndikimit eventual te dëshmitarët, por vetë mbrojtja ka përmendur se Krasniqi ka qenë në dijeni të procedurave hetimore, dy muaj më herët.
Në raportin e monitorimit të tregtimit të energjisë për vitin e kaluar, Zyra e Rregullatorit për Energji ka evidentuar tetë shkelje të rregullave dhe ligjeve nga KEK-u, por asnjëra nuk përmendet në dosjen fillestare të Prokurorisë.
Mes tjerash, ZRRE-ja gjeti se KEK-u tregtoi miliona euro me kompaninë e palicencuar në Kosovë – HSE; se mori energji nga marrëveshja për shkëmbim me Shqipërinë edhe kur s’kishte nevojë dhe e shet atë; dhe se tregtoi duke mos vendosur kriter kryesor çmimin më të favorshëm por sasinë e energjisë.
Me pretendimin se nuk ka bazë për mbajtje në paraburgim, mbrojtja e Krasniqit, të enjten dorëzoi kërkesë në Gjykatën Supreme për lirimin e tij. /atvlive.tv