Kalo te përmbajtja
Të fundit

Vushtrria rrezikon dënime të rënda nga FFK-ja, rregullorja parasheh edhe përjashtimin nga gara

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Vushtrria rrezikon dënime të rënda nga FFK-ja, rregullorja parasheh edhe përjashtimin nga gara

FC Vushtrria rrezikon ta humbasë në tavolinë me rezultat 3-0 ndeshjen ndaj Ballkanit, pasi nuk u paraqit në fushë në përballjen e planifikuar për të shtunën, në kuadër të javës së 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Moszhvillimi i takimit erdhi pas bojkotit të një grupi futbollistësh, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për pagat e papaguara. Situata ka nxitur reagimin e ashpër të klubit vushtrrias, nga ku u deklarua se “klubi nuk shantazhohet nga askush”.

Reklamë

Përveç krizës së brendshme, Vushtrria tashmë përballet edhe me rrezikun e sanksioneve disiplinore nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Sipas nenit 35.1 të Rregullores së Garave të FFK-së, në rastet kur një klub refuzon të luajë, nuk paraqitet në stadium ose është përgjegjës për moszhvillimin e një ndeshjeje në Albi Mall Superligë, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës mund ta regjistrojë takimin si të humbur në tavolinë, krahas masave të tjera disiplinore.

Në këto rrethana, nëse Vushtrria shpallet përgjegjëse për moszhvillimin e ndeshjes, Ballkani pritet të fitojë me rezultat zyrtar 3-0.

Por pasojat mund të jenë edhe më të rënda nëse një situatë e tillë përsëritet. Rregullorja parasheh që, në rast të refuzimit për të luajtur ose mosparaqitjes në më shumë se një ndeshje gjatë të njëjtit edicion, klubi përgjegjës të përjashtohet nga gara, të zbresë së paku një kategori më poshtë dhe në edicionin pasues t’i zbriten të paktën gjashtë pikë.

Megjithatë, për rastin konkret ende pritet vendimi i organeve kompetente të FFK-së, të cilat duhet të shqyrtojnë rrethanat dhe të përcaktojnë përgjegjësinë për moszhvillimin e takimit.

Ndërkohë, kriza te Vushtrria lidhet me vonesat në pagesat e futbollistëve. Klubi ka pranuar se paga e fundit ka pasur vonesë prej 20 ditësh, duke sqaruar se kjo ka ardhur si pasojë e procedurave për dokumentacionin e sponsorizimit.

Drejtuesit kishin premtuar se pagat do të ekzekutoheshin gjatë javës së ardhshme, por marrëveshja nuk ka mjaftuar për të shmangur bojkotin e ndeshjes ndaj Ballkanit.

Tashmë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë FFK-ja dhe nëse kjo përplasje mes klubit dhe futbollistëve do të sjellë pasoja të tjera për të ardhmen e Vushtrrisë në futbollin kosovar.

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’