Fenerbahçe ka pësuar humbjen e dytë të sezonit në Superligën e Turqisë, pasi u mposht 2-1 nga Besiktasi në derbin e madh të Stambollit, në kuadër të javës së katërt.
Vedat Muriqi e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe qëndroi në fushë deri në minutën e 68-të, por sulmuesi kosovar këtë herë nuk arriti të lërë gjurmë në rezultat. Ai u zëvendësua kur rezultati ishte 1-1.
Kjo ishte humbja e dytë e Fenerbahçes këtë sezon, pas tri fitoreve radhazi. Në tri ndeshjet e para, Muriqi kishte shënuar nga një gol në secilën sfidë.
Pas derbit, në kampin e Fenerbahçes pati reagime të ashpra ndaj gjykimit. Presidenti i klubit, Aziz Yildirim, kritikoi gjyqtarët dhe sistemin VAR, duke pretenduar se skuadrës së tij nuk iu akorduan dy penallti.
“Nuk kemi bërë asnjë koment për katër javë. Në ndeshjen ndaj Gençlerbirligit nuk na janë dhënë dy penallti. Kemi humbur dhe nuk kemi thënë asgjë. Më pas ishte ndeshja me Konyasporin, ku pati edhe më shumë gabime të gjyqtarëve. Pastaj ishte faulli ndaj Vedatit në Samsun dhe një tjetër situatë ku nuk morëm penallti. Megjithatë, ne fituam dhe sërish thamë se gjërat do të përmirësoheshin”, deklaroi Yildirim.
Duke folur për derbin ndaj Besiktasit, presidenti i Fenerbahçes përsëriti kritikat e tij ndaj gjykimit.
“Tani kemi pasur gabime të tjera. Kemi luajtur keq dhe e urojmë Besiktasin. Por janë dy penallti që nuk na janë dhënë. Gjyqtari duhet të referojë atë që sheh. Edhe VAR-i është në gjumë”, shtoi ai.
Yildirim shkoi edhe më tej me deklaratat e tij, duke vënë në pikëpyetje kompetencën e gjyqtarëve në futbollin turk.
“Nëse dikush nuk i manipulon, nëse nuk manipulohen nga prapa si lodra, atëherë të gjithë janë jokompetentë. Futbolli turk nuk do të shkojë askund”, u shpreh presidenti i Fenerbahçes.
Edhe disa prej futbollistëve të Fenerbahçes kanë shprehur pakënaqësi për vendimet e gjyqtarëve pas përfundimit të ndeshjes. Gjykimi ka qenë prej vitesh një prej temave më të diskutuara në futbollin turk.
Ndërkohë, te Besiktasi, Milot Rashica mungoi për të dytën ndeshje radhazi, pasi nuk u grumbullua për derbin ndaj Fenerbahçes.





