Federata e Futbollit të Arabisë Saudite (SAFF) dhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) konfirmuan se Kupa e Botës për Klube FIFA 2023 do të zhvillohet në qytetin saudit të Xheda, raporton Anadolu.
Vendimi erdhi pas vizitës së një delegacioni të FIFA-s në Xheda për të vlerësuar përgatitjet e vazhdueshme për kompeticionin, i cili është planifikuar të mbahet nga 12 deri 22 dhjetor.
“Jemi të kënaqur që Xheda, me objektet e saj moderne dhe reputacionin për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, është zgjedhur si qyteti ku do të luhet Kupa e Botës për Klube FIFA”, tha Yasser Al Misehal, President i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite.
“Sporti është shtytësi kryesor i transformimit të vazhdueshëm të Arabisë Saudite sipas Vizionit 2030, të vendosur në Mbretëri si një nga vendet me rritjen më të shpejtë dhe më emocionuese në sportin botëror”, shtoi ai.
Kjo do të shënojë garën e parë të Kupës së Botës për Klube FIFA që mbahet në Arabinë Saudite.
E themeluar në vitin 2000, Kupën e Botës për Klube për herë të fundit e fitoi Real Madrid në vitin 2022.
Kompeticioni direkt me nokaut mbahet midis fituesve të vitit të Ligës së Kampionëve AFC (Azi), CAF Liga e Kampionëve (Afrikë), CONCACAF Kupa e Kampionëve (Amerika e Veriut, Amerika Qendrore dhe Karaibet), CONMEBOL Libertadores (Amerika e Jugut), OFC Liga e Kampionëve (Oqeani) dhe Liga e Kampionëve UEFA (Evropë), së bashku me kampionët kombëtarë të vendit pritës.