Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka ngjallur polemika në Itali pas një komenti ironik për mungesën e kombëtares italiane në Kupën e Botës. Deklarata e tij, e bërë në prag të nisjes së turneut, është pritur me kritika nga tifozët e “Azzurrëve”.
Në një intervistë për CazeTV, Infantino foli fillimisht për mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës në të ardhmen.
“Ne kemi diskutuar mundësinë e rritjes së numrit të skuadrave në 64, në mënyrë që më shumë vende të kenë mundësinë të marrin pjesë. Propozimi është shqyrtuar në Këshillin e FIFA-s, por tani për tani le të shijojmë këtë edicion”, tha ai.
Më pas, kreu i FIFA-s iu referua mungesës së Italisë në turne dhe bëri një koment që nuk u prit mirë në vendin fqinj.
“Me 64 skuadra, ndoshta Italia mund të kualifikohet. Ndoshta duhet ta çojmë numrin në 228…”, tha Infantino me ironi.
Deklarata e tij shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në mediat italiane, ku shumë tifozë e konsideruan të papërshtatshme talljen me një kombëtare që po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj.
Italia nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen në këtë Kupë Bote pas eliminimit në fazën “play-off” të UEFA-s nga Bosnja dhe Hercegovina. Kjo është hera e tretë radhazi që “Azzurrët” mbeten jashtë turneut më prestigjioz të futbollit botëror, një fakt që ka tronditur futbollin italian.
Mungesa e vazhdueshme në skenën më të madhe të futbollit ka shtuar presionin për ndryshime të thella në strukturat e futbollit italian. Pas një tjetër dështimi të rëndë, drejtuesit e sportit në Itali po shqyrtojnë reforma të reja, me synimin për ta rikthyer kombëtaren në nivelet më të larta ndërkombëtare.
Në këtë klimë zhgënjimi dhe pakënaqësie, komentet e Infantinos janë parë nga shumë tifozë si të panevojshme, duke shtuar edhe më shumë tensionin rreth situatës së kombëtares italian





