Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar ngritje në renditjen e FIFA-së pas fitores 1-0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” morën tri pikë të rëndësishme në Prishtinë, në një ndeshje të cilën e dominuan në pjesën më të madhe të saj, ndërsa goli i Vedat Muriqit në minutat e fundit mjaftoi për t’i dhënë Kosovës fitoren.
Falë këtij triumfi, Kosova ka kaluar Bolivinë në renditjen botërore dhe tani pozicionohet në vendin e 77-të.
“Dardanët” kanë mundësi të fitojnë edhe më shumë pikë në rast të një rezultati pozitiv ndaj Austrisë, e cila aktualisht renditet në pozitën e 23-të në botë.
Edhe Shqipëria ka shënuar ngritje në renditjen e FIFA-s. Humbja e Hondurasit në shtëpi ndaj Surinamit ka ndikuar që kuqezinjtë të ngjiten në vendin e 66-të.
Shqipëria do të përballet të shtunën me Bjellorusinë, në një ndeshje ku synon pikët e plota, ndërsa Kosova ka udhëtuar drejt Austrisë, ku do të përballet me përfaqësuesen austriake.
Ndeshja Austri–Kosovë zhvillohet të dielën, me fillim nga ora 18:00.






