Legjenda suedeze e futbollit, Zlatan Ibrahimović, ka vlerësuar lart talentin e ri spanjoll Lamine Yamal përpara ndeshjes së parë të Spanjës në Kupën e Botës kundër Kepit të Gjelbër.
Ish-sulmuesi suedez u shpreh se Yamal është një futbollist i veçantë, nga ata lojtarë që i bëjnë tifozët të mbushin stadiumet vetëm për ta parë në aksion.
“Lamine Yamal është një lojtar i veçantë. Ai është nga ata futbollistë për të cilët ia vlen të blesh një biletë të shtrenjtë dhe të shkosh në stadium. Falë tij, njerëzit e shijojnë futbollin dhe gjithë përvojën që ofron loja”, deklaroi Ibrahimovic për Fox Sports.
Sipas tij, talenti i ri spanjoll duket mbresëlënës në televizion, por paraqitet edhe më i jashtëzakonshëm kur e sheh nga afër.
“Në televizion duket i veçantë, por kur e sheh në stadium, kupton se është edhe më i talentuar. Në moshën 18-vjeçare, ajo që po bën është e pabesueshme”, tha ai.
Ibrahimovic theksoi se cilësitë teknike të Yamalit e bëjnë atë një nga lojtarët më emocionues të momentit.
“Sa herë që prek topin, kupton se është ndryshe. Kontrolli i topit, driblimet, aftësia për të krijuar raste dhe për të shënuar gola janë në një nivel të lartë. Për këtë arsye, shpresoj që ai të dhurojë një paraqitje të shkëlqyer në këtë Kupë Bote”, përfundoi ish-ylli suedez.
Yamal pritet të jetë një nga figurat kryesore të Spanjës në turne, ndërsa shumë tifozë dhe specialistë e konsiderojnë atë një nga talentet më premtuese të futbollit botëror.





