Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka deklaruar se skuadra e tij është plotësisht e përgatitur për ndeshjen e parë në Kupën e Botës kundër Katarit dhe synon të arrijë suksesin më të madh në historinë e pjesëmarrjeve të saj në këtë turne.
Mesfushori shqiptar, i cili po merr pjesë në Botërorin e katërt të karrierës së tij, u shpreh optimist para sfidës që do të zhvillohet në Santa Clara, duke theksuar se Zvicra është më e motivuar se kurrë për ta nisur me fitore rrugëtimin e saj.
“Shpesh flasim për aspektin taktik të lojës, por futbolli duhet edhe të shijohet. Është shumë e rëndësishme të dalësh në fushë i çliruar dhe të kënaqesh me atë që po bën”, tha Xhaka në konferencën për shtyp.
Ai theksoi se skuadra dëshiron të japë maksimumin për vendin dhe familjet e tyre.
“Ne duam të tregojmë lojën tonë më të mirë. Duam të luajmë me krenari për Zvicrën dhe për familjet tona. Ndeshja e nesërme është hapi i parë i madh dhe besoj se kjo mund të jetë Kupa e Botës më e suksesshme për ne”, u shpreh kapiteni zviceran.
Xhaka shtoi se ekipi ndihet plotësisht i gatshëm për sfidën.
“Po e presim me padurim këtë moment. Jemi të përgatitur, në formë të mirë fizike dhe të gatshëm edhe nga ana mendore”, përfundoi ai.
Zvicra po merr pjesë për herë të gjashtë radhazi në Kupën e Botës, një arritje që e kanë regjistruar vetëm disa nga kombëtaret më të forta evropiane. Megjithatë, zviceranët ende nuk kanë arritur të shkojnë më larg se faza e 1/8-tës së finales në shumicën e paraqitjeve të tyre të fundit, ndërsa çerekfinalja e fundit e arritur prej tyre daton në vitin 1954.
Një fitore ndaj Katarit do t’i jepte Zvicrës vendin e parë në Grupin B dhe një nisje ideale në garën për kualifikim në fazën tjetër të turneut.





