Lëndimi i dyshes Elbasan Rashani dhe Edon Zhegrova do ta detyrojë trajnerin e Kosovës. Alain Giresse që të bëjë ndryshime në formacionin startues për ndeshjen kundër Rumanisë.
Këto dy kombëtare ballafaqohen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45 në ndeshjen e vlefshme për grupin I të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian që mbahet vitin e ardhshëm, raporton KosovaPress.
Ndryshimi kryesor që pritet ta bëjë Giresse është në fazën e sulmit, aty ku në vend të të lënduarit Edon Zhegrova pritet të aktivizohet Ermal Krasniqi.
Ish-sulmuesi i Ballkanit luan pikërisht në futbollin rumun tek skuadra CFR Cluj dhe kjo shihet si një përparësi që ai të luajë nga minuta e parë sonte.
Përkrah Krasniqit pritet të luajë dyshja Muriqi-Rashica të mbështetur nga mesfusha e përbërë nga treshja Dreseviç-Kryeziu-Muslija.
Për “Dardanët”, opcioni i vetëm është fitorja sepse çdo rezultat tjetër do t’i linte ata pa shpresë për kualifikim në EURO 2024.
Ky është formacioni i mundshëm i Kosovës përballë Rumanisë: Muric; Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Paqarada; Dresevic, H.Kryeziu; Muslija; Krasniqi, Muriqi, Rashica.