Sot është paralajmëruar se do të ndodh shtrenjtimi i tarifave të rrymës për 15 për qind, megjithatë, nga ZRrE-ja kanë thënë se vendimi pritet të merret më 11 prill.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu ka mohuar se është marrë vendim lidhur me tarifat e energjisë elektrike, duke thënë se në fuqi mbesin tarifat ekzistuese.
“Vendimi pritet të merret më 11 prill. Varësisht se si vendos bordi, ato mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji, kur është edhe periudha e faturimit, pasi që s’ka kuptim që kjo të bëhet në gjysmë të muajit”, tha Fejzullahu, duke shtuar se aktualisht janë duke shqyrtuar komentet e dërguara nga institucionet dhe të tjerët.
“Kemi deklaruar se shqyrtimi do të zgjas deri në dy javë, por mund të zgjas edhe më shumë”, deklaroi ai.
Rritja e çmimit të rrymës, ka ngjallur reagime të mëdha dhe pakënaqësi te qytetarët dhe bizneset dhe presidenca, por deri tash Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar dhe as reaguar lidhur për rritjen e paralajmëruar. Për shkak të pakënaqësive, më 5 prill është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë.
Përndryshe, më 30 mars 2025, ka ndryshuar edhe orarin e tarifës së ulët të rrymës. KESCO ka bërë të ditur se ky orar do të vlejë nga sot e deri me 30 shtator.
Tarifa e ulët gjatë kësaj periudhe, do të jetë nga ora 23:00 deri në ora 08:00. Ky ndryshim vjen si pjesë e aplikimit të tarifës verore, duke u mundësuar konsumatorëve kursime më të mëdha gjatë orëve të caktuara të natës.