Drilon Hajrizi shpallet Lojtari i Javës në FIBA Europe Cup

Drilon Hajrizi po vazhdon të shkëlqejë në arenën evropiane, duke marrë një vlerësim të rëndësishëm për paraqitjet e tij me fanellën e Trepçës.
Basketbollisti mitrovicas është shpallur Lojtari i Javës së katërt në FIBA Europe Cup, pas një performance të jashtëzakonshme në fitoren e skuadrës së tij ndaj BC Batumi 2010.
Reklamë
Trepça triumfoi me rezultat bindës 91-70, ndërsa Hajrizi ishte njëri prej basketbollistëve më të dalluar në parket, duke kontribuar në disa aspekte të lojës.
Ai e përfundoi ndeshjen me 20 pikë të realizuara, tetë kërcime dhe shtatë asistime, duke regjistruar indeks prej 30, statistika që dëshmojnë ndikimin e tij të madh në suksesin e skuadrës mitrovicase.
Paraqitja e basketbollistit të Trepçës nuk kaloi pa u vënë re as nga tifozët e basketbollit evropian, të cilët patën mundësinë të votojnë për lojtarin e javës.
Hajrizi mori plot 86 për qind të votave, duke dominuar bindshëm në këtë përzgjedhje dhe duke konfirmuar vlerësimin e madh që gëzon për paraqitjet e tij.
Ky çmim përbën një tjetër sukses të rëndësishëm për basketbollistin kosovar dhe për Trepçën, e cila po vazhdon të përfaqësojë basketbollin e Kosovës në garat evropiane.
Reklamë







