Milot Rashica rikthehet në fushë pas lëndimit, merr minutat e para me Besiktasin

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, është rikthyer në fushën e gjelbër pas një periudhe mungese për shkak të lëndimit që pësoi gjatë angazhimit me Kombëtaren.
Sulmuesi kosovar regjistroi minutat e para me fanellën e Besiktasit, duke u inkuadruar në lojë në minutën e 83-të të takimit ndaj Kasimpasas, i cili përfundoi me rezultat 2-2.
Reklamë
Rikthimi i Rashicës është një lajm pozitiv si për klubin turk, ashtu edhe për Kombëtaren e Kosovës, pasi futbollisti kishte munguar në disa ndeshje të rëndësishme për shkak të një dëmtimi muskulor.
Lëndimi kishte ndodhur në ndeshjen e Kosovës ndaj Austrisë, ku Rashica ishte inkuadruar në pjesën e dytë, por u detyrua të largohej nga fusha vetëm pak minuta më vonë.
Si pasojë, ai mungoi në pesë ndeshjet e fundit të Besiktasit, përfshirë edhe angazhimet në garat evropiane.
Tashmë, pas rikthimit në aksion, mbetet të shihet se sa shpejt do të arrijë të rikthehet në formën optimale dhe të sigurojë një vend në formacionin titullar të skuadrës turke.
Ndërkohë, vëmendja është edhe te Kombëtarja e Kosovës, pasi ende nuk dihet nëse përzgjedhësi Franco Foda do ta përfshijë Rashicën në listën e futbollistëve për ndeshjet e nëntorit ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Rikthimi i tij në fushë është padyshim një sinjal inkurajues për Dardanët, të cilët shpresojnë ta kenë sulmuesin në dispozicion për sfidat e ardhshme.
Reklamë







