Hysni Mehani u sulmua fizikisht sot në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, ku sipas reagimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ai është sulmuar nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me truprojat e tij.
Sipas VV-së, në momentin e incidentit Mehani ndodhej duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe disa aktivistë të partisë.
Në reagimin e tyre thuhet se fillimisht Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Po ashtu, sipas VV-së, gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, është sulmuar edhe Sekretari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, i cili ka pësuar goditje të rënda nga shoqëruesit e Lushtakut.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë të ditur se Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor, ndërsa e ka cilësuar rastin si “sulm fizik banditesk”, duke kërkuar nga organet kompetente që të trajtojnë rastin me urgjencë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve.
Në reagimin e saj, VV-ja ka kërkuar gjithashtu edhe nga Partia Demokratike e Kosovës që ta dënojë këtë akt dhune.
“Hysni Mehani u sulmua fizikisht nga Sami Lushtaku dhe shoqëruesit e tij, por askush nuk mund t’i frikësojë aktivistët dhe qytetarët e Republikës”, thuhet në reagimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Nga ana tjetër, persona të afërt me Sami Lushtakun kanë deklaruar se incidenti ka ndodhur pasi, sipas tyre, Mehani iu drejtua kryetarit të Skenderajt me fjalën “kriminel”.
Vetë Hysni Mehani ka konfirmuar se është sulmuar fizikisht dhe i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të “mbrojë familjen” e tij.






