Një udhëtim prej 700 kilometrash nëpër shtatë vende të Ballkanit Perëndimor u shndërrua në një libër që po tërheq vëmendje jashtë rajonit. “The Illyrian Way” është libri i autores shqiptare nga Shkodra, Dearta Logu Fusaro, e cila vendosi të dokumentojë përvojën e saj gjatë ecjes, mendimet personale dhe lidhjen me historinë e kulturën shqiptare.
Autorja në një intervistë ekskluzive në emisionin “LIBERO” tregoi se fillimisht libri nuk ishte menduar për publikim të madh, por vetëm si një kujtim personal për familjen e saj.
“Librin e shkruva për veten dhe familjen teme, për me i tregu mendimet e mia gjatë rrugës për në Ballkan. Kur e përfundova, kontaktova një revistë në Londër dhe u thashë se dua vetëm 15 kopje të printuara për familjen, edhe sa kushton”, rrëfen ajo.
Por historia mori një kthesë të papritur. Sipas autores, shtëpia botuese u interesua menjëherë për përmbajtjen e librit.
“Ata thanë: ‘Le ta lexojmë’. Më pas më thanë: ‘Mos na paguaj ti neve, ne do të paguajmë ty dhe do të bëjmë kontratë, sepse nuk ka shumë njerëz që shkruajnë për shqiptarët dhe njerëzit në Ballkan’”, tregoi ajo.
Libri “The Illyrian Way” përshkruan një ekspeditë tre mujore në këmbë nëpër Ballkanin Perëndimor dhe nuk përshkruan vetëm sfidën fizike të ecjes nëpër rajon, por edhe rrëfime mbi identitetin, historinë dhe mikpritjen në Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij rrugëtimi, autorja sjell një perspektivë personale mbi jetën dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer eksperiencën e saj në një dëshmi të veçantë për rajonin.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dearta Logu Fusaro, klikoni në linkun e mëposhtëm:





