Toni Kroos ka zgjedhur ironinë për të komentuar paraqitjet e disa prej yjeve të rinj të Kombëtares së Gjermanisë, në prag të publikimit të listës së parë të Jurgen Kloppit.
Gjatë podcastit “Einfach Mal Luppen”, të cilin e drejton së bashku me vëllain e tij Felix, ish-mesfushori gjerman u sfidua të përmendte tre futbollistë që nuk kishin qenë pjesë e Botërorit të fundit.
Kroos e shfrytëzoi menjëherë mundësinë për një batutë, duke përmendur emrat e Jamal Musialës, Florian Wirtzit dhe Aleksandar Pavlovicit.
Problemi ishte se të tre futbollistët kishin qenë pjesë e Gjermanisë në atë turne. Fillimisht, vëllai i tij Felix nuk e kuptoi menjëherë ironinë e Kroosit dhe e pyeti se për cilin Botëror po fliste.
Vetëm pak sekonda më vonë, ai e kuptoi se bëhej fjalë për një thumbim ndaj paraqitjeve të treshes, duke e vazhduar edhe më tej shakanë me idenë se ata thjesht nuk ishin vënë re gjatë turneut.
Në fakt, Kroos iu referua paraqitjeve zhgënjyese të Musialës, Wirtzit dhe Pavlovicit me Gjermaninë, e cila u eliminua nga Paraguai në raundin e 32-të.
Më pas, ish-kampioni i botës i vitit 2014 kaloi nga ironia te emrat që, sipas tij, do të meritonin të ishin në listën e parë të Jurgen Kloppit.
Kroos përmendi Tom Bischof dhe Lennart Karl të Bayern Munichut, si dhe talentin e Kolnit, Said El Malan, si tre futbollistë që do të dëshironte t’i shihte në grumbullimin e ri të Kombëtares gjermane.
Tashmë mbetet të shihet se cilët emra do të përfshijë Klopp në listën e tij të parë dhe nëse ndonjëri prej talenteve të përmendur nga Kroos do të marrë një ftesë nga trajneri i ri i “Die Mannschaft”.





