Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se “gjakderdhja e fundit në veri të Kosovës është pasojë direkte e politikave” të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Në uebfaqen e MPJ-së ruse, Zakharova është cituar të ketë thënë se “ka kërcënim të vazhdueshëm për spastrim etnik në Kosovë”.
“S’ka dyshim që gjakderdhja është pasojë direkte e kursit të të ashtuquajturit ‘kryeministër’ Albin Kurti, me qëllim të nxitjes së luftës dhe spastrimit etnik të kësaj pjese të territorit”, thuhet në deklaratën e saj.
Aty shtohet se përpjekjet e Kurtit “për të përshkallëzuar situatën për të shkaktuar presion nga Perëndimi mbi lidershipin serb, në mënyrë që Beogradi ta njohë ‘pavarësinë’ e Kosovës, është lojë e vazhdueshme me zjarrin, që, siç po shihet, është shumë e shtrenjtë dhe sjell tërë rajonin e Ballkanit në rrezik”.
Zakharova ka akuzuar edhe Policinë e Kosovës për “operacione sistematike ndaj komunitetit serb”.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.