Lionel Messi nuk mendon largimin nga Inter Miami, synon ta respektojë kontratën deri në vitin 2028

Lionel Messi nuk ka ndërmend të largohet nga Inter Miami, pavarësisht zërave për një rikthim të mundshëm në futbollin argjentinas. Ylli 39-vjeçar duket se ka ende plane me klubin amerikan dhe synon të vazhdojë qëndrimin në Florida.
Sipas gazetës spanjolle “Sport”, kapiteni i Argjentinës nuk po shqyrton mundësinë e ndryshimit të klubit, ndërsa eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka konfirmuar se për momentin nuk ekziston asnjë plan për një largim të mundshëm.
Reklamë
Kështu, duket se janë shuar edhe spekulimet për një rikthim te Newell’s Old Boys, klubi ku Messi i kishte hedhur hapat e parë në futboll.
“Messi është i lumtur te Inter Miami, pavarësisht informacioneve të fundit që qarkullojnë rreth klubit të tij të parë në Argjentinë”, ka deklaruar Romano.
Argjentinasi, i cili në vitin 2026 është nderuar me Çmimin Princesha e Asturias për Sport, është i përqendruar plotësisht te angazhimet e tij me Inter Miamin. Sipas Romanos, edhe familja e tij ndihet e lumtur dhe e vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kontrata aktuale e Messit me klubin amerikan është e vlefshme deri në vitin 2028 dhe synimi i tij është ta respektojë marrëveshjen deri në fund. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e një vazhdimi të bashkëpunimit edhe përtej kësaj periudhe, ndonëse për një vendim të tillë është ende herët dhe shumëçka do të varet nga gjendja e tij fizike.
Ndërkohë, Messi po vazhdon të zgjerojë edhe aktivitetet jashtë fushës së futbollit. Ai ka themeluar “Messi Cup”, një turne ndërkombëtar për grupmoshat e reja, me synimin për të zbuluar dhe promovuar talentet e së ardhmes.
Reklamë










