Barcelona rikthen në radar Bastonin, italiani kërkon garanci nga Hansi Flick

Barcelona ka rikthyer interesimin për qendërmbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni, pesë muaj pasi dështoi transferimi i tij te skuadra katalunase.
Mbrojtësi 27-vjeçar është i gatshëm të dëgjojë një ofertë nga Barça, por këtë herë kërkon fillimisht të marrë garanci të drejtpërdrejta nga trajneri Hansi Flick.
Reklamë
Sipas raportimeve, Barcelona po shqyrton sërish mundësinë e transferimit të një qendërmbrojtësi, ndërsa drejtori sportiv Deco vazhdon ta ketë emrin e italianit në listën e kandidatëve për përforcimin e repartit defensiv.
Interesimi i Barcelonës për Bastonin kishte nisur që në janar të vitit 2026, kur drejtuesit e klubit kishin identifikuar nevojën për një qendërmbrojtës me përvojë dhe këmbë të majtë.
Deco kishte punuar për transferimin e italianit dhe madje kishte arritur një marrëveshje personale me të deri në vitin 2031.
Megjithatë, marrëveshja nuk mori miratimin përfundimtar të Hansi Flickut, i cili në muajin maj vendosi të mos vazhdonte me këtë operacion.
Trajneri gjerman kishte vlerësuar se burimet financiare duhej të orientoheshin drejt përforcimit të pozicioneve të tjera, ndërsa Gerard Martin ishte përdorur edhe si alternativë në qendër të mbrojtjes
.Pesë muaj më vonë, situata ka ndryshuar dhe Bastoni është sërish një nga emrat që po shqyrtohen nga drejtuesit katalunas. Megjithatë, futbollisti nuk dëshiron të kalojë përsëri nëpër të njëjtën situatë.
Reprezentuesi italian është i gatshëm të dëgjojë Barcelonën, por kërkon një bisedë të drejtpërdrejtë me Flickun, në mënyrë që të bindet se transferimi i tij është pjesë e planeve sportive të trajnerit dhe se ekziston një pajtueshmëri e plotë brenda klubit.
Në anën tjetër, Bastoni nuk ka arsye të nxitojë për t’u larguar nga Interi. Ai ka kontratë me klubin zikaltër deri në vitin 2028, është një prej lojtarëve me rol të rëndësishëm në skuadër dhe gëzon status të veçantë në ekipin italian.
Tashmë, iniciativa i takon Barcelonës. Nëse Deco dhe drejtuesit katalunas vendosin ta bëjnë Bastonin prioritet për afatin kalimtar të ardhshëm, fillimisht do të duhet ta bindin futbollistin përmes një projekti të qartë sportiv, përpara se të nisin negociatat me Interin për transferimin e tij.
Reklamë











