Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dhabit

Xhudistja kosovare Laura Fazliu i ka sjellë një tjetër sukses Kosovës, duke fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos, që po zhvillohet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Fazliu shkëlqeu në kategorinë deri në 63 kilogramë, ku në luftën për medaljen e bronztë arriti ta mposhtë xhudisten kroate, Iva Oberan.
Reklamë
Garuesja nga Mitrovica i nisi garat nga xhiroja e dytë, pasi ishte e lirë në xhiron e parë. Në paraqitjen e saj të parë, ajo mposhti me ‘waza-ari’ portugezen Joana Crisostomo.
Në çerekfinale, Laura vazhdoi me paraqitje të shkëlqyer, duke triumfuar me ‘ippon’ ndaj garueses vendase, Tsendbazar Mashbat, për të siguruar një vend në gjysmëfinale.
Megjithatë, në këtë fazë u ndal nga polakja Angelika Szymanska, duke humbur mundësinë për të luftuar për medaljen e artë.
Por xhudistja kosovare nuk u dorëzua dhe në luftën për vendin e tretë tregoi forcën e saj, duke mposhtur kroaten Iva Oberan dhe duke siguruar medaljen e bronztë për Kosovën.
Në këtë Grand Slam marrin pjesë gjithsej 374 xhudistë nga 59 shtete, ndërsa medalja e Laurës përbën një tjetër sukses të rëndësishëm për xhudon kosovare në arenën ndërkombëtare.
Reklamë








