Ballkani shpërthen ndaj Drenicës, triumfon me rezultat të thellë 4-0

Ballkani ka regjistruar fitore bindëse me rezultat 4-0 ndaj Drenicës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Sami Sermaxhaj ka vazhduar me rezultate pozitive në kampionat, duke triumfuar kësaj radhe ndaj ekipit të Gentjan Mezanit.
Reklamë
Therandasit e nisën më mirë takimin, duke krijuar disa raste të rrezikshme që në pjesën e parë. Epërsinë vendasve ua siguroi Albin Berisha, i cili shënoi në minutën e 20-të për 1-0. Ballkani arriti të shënonte edhe një herë në minutën e 44-t, por goli u anulua pas ndërhyrjes së sistemit VAR.
Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan me lojë të mirë dhe shumë shpejt e dyfishuan epërsinë. Ishte përsëri Albin Berisha, i cili në minutën e 47-të realizoi për 2-0.
Dominimi i Ballkanit vazhdoi edhe në minutat në vijim, ndërsa në minutën e 64-t Giovanni realizoi një gol të bukur pas asistimit të Valentin Serebes, duke e çuar rezultatin në 3-0.
Vetëm katër minuta më vonë, Diar Vokrri shënoi golin e katërt për Ballkanin, duke vulosur fitoren bindëse të skuadrës vendase me rezultat 4-0.
Me këtë triumf, Ballkani shkon në kuotën e 16 pikëve dhe renditet në pozitën e gjashtë, ndërsa Drenica mbetet në vendin e shtatë me 11 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Ballkani do të përballet në udhëtim me Feronikelin ’74, kurse Drenica do të jetë nikoqire e Dritës.
Reklamë








