PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Faturimi i konsumit të energjisë elektrike me vlerë fikse apo paushall mund të jetë praktikë prezente në katër komunat me shumicë serbe edhe për një vit.
Dy muaj e gjysmë nga mbyllja e tenderit, Bashkimi Evropian nuk e ka nënshkruar kontratën për furnizim me matës të mençur, për konsumatorët në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Pa dhënë detaje, Zyra e BE-së përsëriti përgjigjen që i kishte dhënë ATV-së në fillim të muajit Qershor.
“Aktualisht, Bashkimi Evropian është duke i vlerësuar ofertat e pranuara. Me kusht që procedura është suksesshme, kontrata do të nënshkruhet së shpejti”, thanë nga zyra e BE-së në Kosovë.
Të mbyllur, sikur për secilën çështje tjetër, mbeten nëElektrosever – kompaninë bijë të “ElektroPrivredaSerbija”, e licencuar në Kosovë në Qershor të vitit 2022.
Megjithatë nëpërmjet fletushkave, pa përmendur detaje dhe afate, kjo kompani ka nisur informimin e konsumatorëve të saj se matësit aktualë “në të ardhmen të ndërrohen me të mençur”
Matësit, të cilët do t’i blejë Bashkimi Evropian, do t’i dorëzohen KEDS-it, që pastaj në bashkëpunim me Elektroseverin do të vijojë me vendosjen e tyre.
Draft-kontrata, të cilën e ka parë ATV-ja, dhe e cila parasheh furnizim me rreth 25 mijë matës “smart”, si dhe koncentratorë e transmormatorë të tensionit të energjisë, ka afat zbatimit prej 365 ditësh.
Sipas kushteve specifike në draft-kontratë, brenda tre muajve të parë, furnitori do të bëjë dërgesën e parë prej jo më shumë se 10% të totalit të matësve.
Nga 1 Janari 2024, kur Elektrosver mori përsipër furnizimin në katër komunat me shumicë serbe në veri pjesa dërmuese e konsumatorëve paguajnë paushall, në vlerë rreth 20 euro.
Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






