Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë përmban, sipas tij, pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, të cilat duhet të korrigjohen në procedurën e apelit.
Kurti i bëri këto deklarata gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë.
Ai tha se pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk ishin pjesë e aktakuzës, ndërsa sipas tij, janë rrëzuar edhe akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile.
“Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike e juridike. Dhe presim që këto të korrigjohen në Apel”, ka deklaruar Kurti.
Ai e ka cilësuar gjithashtu shqetësuese mungesën e transparencës së gjykatës dhe e ka përshkruar atë si “monoetnike”.
Kurti ka folur edhe për vizitën e von der Leyen dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se vendi i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.





