Organizimi i LDK-së dhe UÇK-së: Krejt çka tha sot dëshmitari i dytë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

Një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëshmitari i dytë në rastin e krerëve të UÇK-së.

Në pyetjet e Prokurorisë ai ka folur fillimisht lidhur me organizimin dhe strukturën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, qëllimet e kësaj partie dhe dallimet me ‘krahun e luftës’.

Dëshmitari që po jep dëshminë me masa strikte mbrojtëse ka folur sidomos për organizimin e LDK-së në Malishevë, raporton Nacionale.

“Synimi i LDK-së ka qenë me kundërshtu sistemin e ish-Jugosllavisë. Ka fillu jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj të udhëhequr nga presidenti Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”, deklaroi dëshmitari i dytë në rastin e krerëve të UÇK-së.

Prokurori e pyeti se cila ka qenë forma e veprimit të LDK-së dhe cilat institucione kanë qenë në fuqi në atë kohë.

“Ka qenë qeveria e Kosovës, kryeministri Bukoshi dhe të gjithë ministrat e tjerë në atë kohë. Aty ku ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, aty ka vepruar Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Më pas dëshmitari tregoi në detaje për organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Malishevë.

“Pas formimit në Prishtinë, është formuar në Malishevë Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i parë i LDK-së në Malishevë ka qenë Isni Kilaj. Struktura e LDK-së është përbërë nga nënkryetarë të LDK-së, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, deklaroi më tutje dëshmitari.

Ai tregoi se LDK-ja ka pasur një përkrahje tejet të madhe në popull. Dëshmitari bëri të ditur se ishe inkuadruar në LDK në vitin 1990 dhe ende vazhdon të jetë pjesë e kësaj partie.

Një pjesë e kësaj seance u zhvillua edhe e mbyllur për publikun, pasi përmendeshin identiteti i dëshmitarit dhe informacione të tjera konfidenciale.

Dalja publike e UÇK-së dhe gabimet e dëshmitarit

Përveç LDK-së, dëshmitari deklaroi se ka qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje tha se ka qenë fizikisht pjesëmarrës në daljen e parë publike të UÇK-së në Llaushë pas vrasjes së mësuesit Halit Geci.

Por, pavarësisht kësaj, dëshmitari gjatë përgjigjeve të tij pati dy gabime elementare që ndërlidheshin me daljen e parë publike. E para ai tha se në Llaushë pati mbajtur fjalim Mujë Krasniqi, kur dihet që atje ka folur vetëm Rexhep Selimi. Dhe e dyta, tha se vetëm Mujë Krasniqi ka dalur pa maskë në skenë, përderisa dihet se pa maskë ka dalur edhe Daut Haradinaj.

“UÇK-ja u bë publike pas vrasjes së mësuesit Halit Geci, në varrimin e tij është bërë publike Ushtria Çlirimtare të Kosovës. E pas vrasjes së familjes Jashari i madh e i vogël u kyçën në ushtri. Me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci kemi qenë prezentë në varrim edhe vetë. Është fol që ka marrë pjesë edhe kryetari i degës së Skënderajt, Idriz Reci. Kanë folë ata, pas tyne janë dalë përfaqësuesit e UÇK-së e kanë lexu një tekst dhe i kanë shprehë ngushëllime”, tha fillimisht dëshmitari.

“Mujë Krasniqi ka qenë pa maskë, të tjerët kanë qenë me maska. Më vonë e kemi kuptuar se ishte Mujë Krasniqi. Muja ka lexuar diçka, ka bërë thirrje që të veprohet me UÇK-në e të ecim përpara”, deklaroi dëshmitar.

Prokurori nuk bëri ndonjë pyetje tjetër lidhur me këto dy përgjigje. Mbetet të shihet nëse avokatët e krerëve të UÇK-së do t’ia rikujtojnë dëshmitarit dy elementet të cilat i tha lidhur me daljen publike të UÇK-së.

Megjithatë, prokurori u interesua për faktin se cili nga folësit ka qenë më i rreptë. Dëshmitari tha se më ashpër kishte folur Rexhep Selimi.

Dëshmitari foli edhe për raportet e LDK-së me UÇK-në. Tha se UÇK-ja nuk e njihte presidentin Rugova, përderisa pretendoi se ushtarët e UÇK-së i kanë kërkuar atij të largohet nga LDK-ja.

Pjesë tjetër nga dëshmia e dëshmitarit:

Prokurori: Kush nga folësit ishte më i rreptë?

Dëshmitari: Veç me fjalë nuk arrihet lufta, pak a shumë kështu ishte fjalimi.

Prokurori: Më herët the një person e ka mesazhin më të ashpër. A e kujton kush ishte?

Dëshmitari: Po. Rexhep Selimi. Më tregoi dikush që ishte ai.

Prokurori: Si e kuptuat që mesazhi ishte të mos ndiqen më njerëzit pacifist?

Dëshmitari: Fjala ishte për Lidhjen Demokratike e Kosovës. Kjo sepse thanë që nuk mundemi vetëm me fjalë paqësore, por edhe lufta. U dijke kush është në Prishtinë, e kush punon në mënyrë paqësore. Në atë kuptim.

Prokurori: Sa pjesë të Malishevës kontrollonte UÇK-ja në qershor 1998?

Dëshmitari: Pothuajse komplet Malishevën.

Prokurori: Kur objektivat e UÇK-së dhe LDK-së duke filluar nga 1998, a filluan të harmonizohen?

Dëshmitari: Po. Nuk ishin bash të mira marrëdhëniet, edhe pse një pjesë e madhe ishim të kyçur në UÇK. Nuk kanë qenë edhe bash raportet si me thanë të shëndosha, të mira. UÇK-ja vazhdimisht bënte presion që LDK-ja ta pushonte aktivitetin e vet.

Prokurori: Kush e ushtronte këtë presion?

Dëshmitari: E ushtronte drejtoria politike në kuadër të UÇK-së.

Prokurori: UÇK-ja e a e njihte presidentin Rugova?

Dëshmitari: Jo.

Prokurori: A vazhduat të ishit anëtar i LDK-së edhe kur u kyçët në UÇK?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: Më herët dëshmuat për institucionet paralele. A mësuat nëse kishte anëtar të tjerë të UÇK-së që i njihnin këto institucione,

Dëshmitari: Po, ka pasur edhe ushtar edhe shtab që i ka njohur institucionet e republikës së Kosovës. Edhe pse kam qenë pjesëtar i UCK-së, kam qenë në LDK, kam punuar dhe kam vepruar në çfarë është dashtë.

Prokurroi: A e dinin ushtarët se ti ishe në LDK dhe si kanë reaguar?

Dëshmitari: Kanë kërkuar mu tërheqë mirëpo nuk jam tërhek sepse e kisha autoritetin.

Ky dëshmitar do të merret në pyetje për pesë ditë me radhë. Në anën tjetër, në fillim të seancës trupi gjykues ia ka aprovuar një mocion avokatit të Rexhep Selimit. Kjo lidhet me incidentet që i ka përmendur një dëshmitar, e të cilat nuk ndërlidhen me periudhën e aktakuzës për të cilën akuzohen krerët e UÇK-së.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA