Sot, nga ora 10:00, rihapet gjykimi ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan në vitin 2021.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se sulmin e kryen për motive hakmarrjeje, duke pasur në shënjestër shoferin e autobusit, tashmë të ndjerin Gani Gjokaj. Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e fajësonte Gjokajn për vetëvrasjen e Heroina Mehmetajt.
Sulmi ndodhi më 26 nëntor 2021, kur autobusi i linjës Gjakovë–Deçan u sulmua me armë zjarri në Gllogjan.
Nga të shtënat mbetën të vrarë tre persona, përfshirë dy nxënës 17-vjeçarë, ndërsa një person tjetër u plagos rëndë.
Prokuroria pretendon se sulmi ishte planifikuar paraprakisht dhe se ishte realizuar në bashkëveprim nga të tre të akuzuarit.





