Luka Modric është gati për sezonin e dytë me fanellën e Milanit dhe duket se motivimi i kroatit për të vazhduar aventurën në “San Siro” është më i madh se kurrë.
Mesfushori 40-vjeçar ka bërë të qartë se synon të luftojë për objektivat e klubit dhe të japë maksimumin për një skuadër me të cilën tashmë është krijuar një lidhje e veçantë.
Modric ka pranuar se dëshira për të qëndruar në Milano kishte qenë gjithmonë e pranishme, por para se të merrte vendimin përfundimtar duhej të zgjidhte disa çështje. Tani, ai është rikthyer me energji të reja dhe me synimin për të dhënë kontributin e tij në sezonin e ri.
Kroati ka folur edhe për fundin zhgënjyes të sezonit të kaluar, duke e përshkruar atë si një periudhë frustruese. Milani ishte në garë për titull deri në muajin mars, ndërsa një lëndim e pengoi Modricin të ndihmonte ekipin në momentet vendimtare.
Pavarësisht mungesës së kualifikimit në Ligën e Kampionëve, ai vlerëson se sezoni solli edhe shumë aspekte pozitive, veçanërisht atmosferën brenda klubit dhe raportet mes lojtarëve.
Edhe gjatë angazhimit me Kroacinë në Kupën e Botës, Modric nuk e humbi lidhjen me Milanin. Edhe pse fokusi i tij ishte te kombëtarja, mesfushori vazhdoi të qëndronte në kontakt me klubin dhe ta ndiqte nga afër situatën në Milano.
Një nga arsyet kryesore që e ka bindur të vazhdojë aventurën në Itali është lidhja e krijuar me tifozët. Modric ka mbetur i impresionuar nga mbështetja që ka marrë gjatë gjithë sezonit dhe dëshiron t’ua shpërblejë këtë dashuri me paraqitje sa më të mira.
Për kroatin, Milani është një klub i veçantë dhe për nga madhështia e vendos në të njëjtën kategori me Real Madridin, klubin ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.
Modric ka theksuar se që nga dita e parë në Milano është ndier sikur ka qenë pjesë e klubit prej vitesh. Pikërisht kjo ndjenjë përkatësie dhe dashuria e tifozëve duket se e kanë shtyrë të kërkojë edhe më shumë nga vetja.
Tani, me sezonin e ri në prag, Modric synon ta shijojë në maksimum aventurën te Milani dhe të ndihmojë “Rossonerët” të rikthehen te trofetë.





