Patrick Vieira ka marrë një nga detyrat më të rëndësishme në karrierën e tij si trajner, pasi është emëruar përzgjedhës i ri i Përfaqësueses së Senegalit.
Federata Senegaleze e Futbollit e ka konfirmuar të martën emërimin e ish-mesfushorit francez, i cili ka lindur në Dakar. Vieira do të zëvendësojë Pape Thiaw, i cili u largua nga posti pas eliminimit të Senegalit në fazën e 1/16-ve të Kampionatit Botëror.
Për Vieira, kjo do të jetë një përvojë krejtësisht e re, pasi për herë të parë do të drejtojë një kombëtare. Deri më tani, 50-vjeçari ka ndërtuar karrierën e tij në pankinat e klubeve në Angli, Francë dhe Itali.
Ai ka drejtuar Crystal Palace në Premier League, ndërsa në Francë ka qenë në krye të Nice dhe Strasbourg. Në Itali pati një eksperiencë të shkurtër me Genoan në Serie A.
Emërimi i Vieira ka edhe një dimension të veçantë, pasi ai ka lindur pikërisht në Dakar dhe tani do të rikthehet në vendlindje për të udhëhequr kombëtaren e Senegalit.
Si futbollist, Vieira ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme. Me Francën, ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës 1998 dhe Euro 2000, ndërsa regjistroi më shumë se 100 paraqitje me fanellën e “Gjelave”.
Në nivel klubesh, emri i tij lidhet veçanërisht me Arsenalin, ku zhvilloi mbi 400 ndeshje dhe fitoi tri herë titullin e kampionit të Anglisë.
Tashmë, Vieira do të ketë përpara një sfidë të re dhe mjaft të veçantë: të drejtojë Senegalin në përgatitjet për Kupën e Kombeve të Afrikës 2027. Puna e tij pritet të nisë gjatë grumbullimit të ardhshëm të kombëtares, ndërsa kualifikimet për këtë turne pritet të fillojnë në shtator.
Për ish-kampionin e botës, aventura në Senegal do të jetë një kapitull i ri në karrierën e tij, këtë herë në vendin ku nisi gjithçka.





