10.7 C
Pristina
E shtunë, 27 Prill, 2024

Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

Kuvendi i Kosovës me 97 vota për ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Pas koordinimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, tekstin e rezolutës e paraqiti kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ku mes tjerash kërkohet nga faktori ndërkombëtar të ballafaqojë Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen që i ka bërë këtij grupi.

Aty i ofrohet mbështetje Policisë së Kosovës për ushtrimin e detyrave të saja në tërë territorin e Kosovës.

Po ashtu i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës që të punojë me aleatët ndërkombëtarë, si dhe kërkohet nevoja për një hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë në lidhje me organizimin e aktiviteteve terroriste.

“Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë që po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin tonë shtetëror për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetin në rajon, të vendosur që Republika e Kosovës që të jetë vend i lirë dhe demokratik dhe atdhe i qytetarëve të saj të cilëve iu garantohen të drejtat, liritë dhe barazia ndaj ligjit. Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje që cenon, rrezikon dhe sulmon rendin kushtetues të Kosovës, Kuvendi i Kosovës e dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës me datë 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizim dhe mbështetjen e çfarëdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës. Vlerëson punën dhe angazhimin e rezultateve të jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe institucioneve partnere të sigurisë EULEX dhe KFOR për t’i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia”, tha Konjufca.

Në këtë rezolutë po ashtu theksohet nevoja për pluralizëm politik në komunitetin serb në Kosovë.

REZOLUTA E PLOTË:

– Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

1. DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2. VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3. OFRON mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4. KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5. INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;

7. KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA