Hoffenheimi ka marrë një lajm të mirë me rikthimin në fushë të Fisnik Asllanit, i cili pas një periudhe jashtë për shkak të lëndimit është sërish në dispozicion të skuadrës gjermane.
Sulmuesi i Kosovës ishte shumë pranë transferimit te RB Leipzig gjatë afatit kalimtar të verës, në një marrëveshje që raportohej të kishte vlerë mbi 30 milionë euro. Megjithatë, transferimi nuk u finalizua pasi Asllani nuk arriti t’i përfundonte me sukses testet mjekësore.
Si rezultat, 23-vjeçari mbeti pjesë e Hoffenheimit, por më pas u detyrua të mungonte në disa ndeshje për shkak të lëndimit.
Asllani bëri rikthimin e tij në fundjavë në përballjen ndaj Stuttgartit, ndërsa në Hoffenheim janë të kënaqur që sulmuesi kosovar është sërish pjesë e skuadrës.
Drejtori sportiv Andreas Schicker e ka vlerësuar pozitivisht rikthimin e tij, duke theksuar rëndësinë që Asllani mund të ketë për ekipin gjatë pjesës së mbetur të sezonit.
“Ka qenë një verë aspak e lehtë për Fisin. Jemi të lumtur që ai është këtu. Në ato pak minuta kundër Stuttgartit, ai tregoi se mund të na ndihmojë sërish”, deklaroi Schicker.
Ai shtoi se Hoffenheimit i nevojiten të gjithë futbollistët në dispozicion, veçanërisht duke pasur parasysh ngarkesën e madhe me ndeshje.
“Jam i lumtur që është këtu, sepse kemi shumë ndeshje, sidomos deri në janar dhe shpresojmë edhe më gjatë. Na duhen të gjithë lojtarët dhe është mirë që edhe Fisi është rikthyer”, u shpreh drejtori sportiv.
Megjithatë, e ardhmja e Asllanit në Hoffenheim mbetet ende për t’u përcaktuar. Sipas “Kicker”, nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi kosovar të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi interesimi nga klubet e njohura evropiane për të vazhdon.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse Asllani do të jetë në dispozicion të Përfaqësueses së Kosovës për katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.





